Transmetuar më 29-04-2024, 13:33

Kryeministri Edi Rama nuk i kursen batutat në çdo dalje të tij publik dhe kështu ka ndodhur edhe sot.

Teksa ishte duke folur për turizmin dhe masat që do të merret për mbarëvajtjen e sezonit, ai tha se kur Zoti e krijoi Shqipërinë, ka qenë ditë e diel, pasi vendi ynë ka gjithçka, male, dete, lumenj e fusha. Por sipas Ramës, kur Zoti krijoi shqiptarët duhet të ketë qenë i stresuar, pasi ja dalin vetë në çdo situatë.

“Ne jemi vend i vogël, por kemi një bekim shumë të madh. Zoti kur bëri Shqipërinë e bëri ditën e diel kur ishte pushim. Në 28 mijë km2 ka futur çdo gjë, dy dete, 9 lumenj, male, lugina fantastike, pasuri nëntokësore, çdo gjë që mundshme dhe të imagjinueshme për ta patur në një distancë shumë të shkurtër, Zoti e ka futur në hartën e Shqipërisë. Nuk e di çfarë intensiteti pune ka patur kur bëri shqiptarët, por kur bëri Shqipërinë ishte e diel dhe e kishte pushim.

Kur bëri shqiptarët ka qenë shumë i zënë me siguri dhe në një moment stresi ka nxjerrë shqiptarët. Dhe nga ai moment stresi shqiptarët dolën aq sa të jashtëzakonshëm kur janë vetëm dhe kur janë përballë një sfide ku nuk kanë kujt t’i drejtohen tjetër veç forcave të veta si individë, hidhi ku të duash, aq edhe të jashtëzakonshëm pastaj për t’u ngrënë me njëri-tjetrin.”– tha Rama.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd