Transmetuar më 30-04-2024, 08:00

Në Qershor hapen tuneli i Llogarasë dhe rruga e re Thumanë-Kashar

Zëvendësministrja dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, njofton se brenda muajit qershor 2024 hapet zyrtarisht tuneli i Llogarasë që ajo e cilësoi si perla e infrastrukturës rrugore shqiptare.

Duke deklaruat se tuneli hapet më 30 qershor 2024, Balluku tha: "Do të hapim tunelin e Llogarasë. Tunelin e Llogarasë që në opinionin tim është perla e infrastrukturës shqiptare. Një tunel prej 6 kilometrash që quhet ‘long range’ përsa i përket tuneleve europiane, një tunel që unë do ta quaja një vepër arti edhe për shkak se gjeologjia na ka ndihmuar atje".

Në një takim për masat që po merren për sezonin turistik veror, zonja Balluku tha gjithashtu se po brenda muajit qershor hapet për qarkullimin e mjeteve edhe rruga e re Thumanë-Kashar, raporton noa.al.

"Ky do të jetë një vit me shumë dorëzime veprash dhe me shumë hapje të kantiereve të reja. Të gjithë më pyesin nëse e kam seriozisht kur them që Thuman-Kashar, një nga akset rrugore pjesë e Korridorit Blu, por një nga akset rrugore më kyçe të këtij korridori, pasi do të jetë ajo që do të shpëtojë një herë e mirë të gjithë trafikun që prej vitesh me të vërtetë e kemi pasur problem trafikun që shkon apo që vjen nga veriu dhe zonën e Rinasit. Po e kam seriozisht. Në 30 qershor Thumanë-Kashar do të jetë një aks i përshkueshëm. Ajo do të jetë dita ku çdo automjet do ta përshkojë atë aks dhe për më tepër ne me shumë gëzim do t’ia dorëzojmë Policisë së Shtetit që të nisë operacionet dhe të ketë monitorim të plotë."

Ndërsa jugu ka lajme të mira, situata duket ende e paqartë për rrugën e Arbrit, por pritet që brenda vitit edhe ai të hapet. Ministrja tha se "tuneli i Murrizit do të dorëzohet brenda vitit 2024 duke mbyllur njëherë e mirë rrugën e Arbrit".

Balluku njoftoi se ecuria e punimeve në aeroportin e Vlorës është e mirë dhe njoftoi se brenda fundit të vitit 2024 përfundon puna: "Aeroporti i Vlorës ka një ecuri të shkëlqyer dhe në fund të këtij viti, pra në dhjetor, do ta kemi plotësisht të dorëzuar, për të vazhduar pastaj me fazën e certifikimit dhe vitin tjetër në këtë kohë do të ngrihen dhe do të ulen avionët e parë edhe në Vlorë", tha ministrja.

Ndërkohë gjatë muajit maj do të hapen dy gara ndërkombëtare për dy porte, një port nga ajri dhe një port nga deti: "Hapim garën ndërkombëtare për ndërtimin e portit të ri të Durrësit në Porto Romano, duke filluar kështu një epokë të re për industrinë detare. Një epokë e re e cila përfshin dy porte moderne, portin e ri të Durrësit, portin e ri të Vlorës në triport dhe dy marina akoma më moderne dhe elitare atë të Durrësit dhe atë të Vlorës", njoftoi Balluku.

Ministrja foli edhe për aeroportin tjetër në jug të vendit, që pasi u anulua plani të ishte në Sarandë, u zhvendos në Gjirokastër:

"Kemi dhe një garë tjetër ndërkombëtare atë të aeroportit të Gjirokastrës. Porta e katërt e cila e nisëm si proces për Sarandën, por në një komunikim shumë intensiv me Ministrinë e Mjedisit dhe të Turizmit arritëm në konkluzionin që ishte e pamundur që ky aeroport të ndërtohej në Sarandë, për shkak të zonave të mbrojtura dhe densitetit turistik që kemi atje dhe kështu u spostuam në një zonë të sprovuar përsa i përket korridoreve ajrore, ajo e Gjirokastrës. Për më tepër ky aeroport do ti shërbejë edhe malësisë, zonës së Tepelenës, Gjirokastrës që është një nga qytetet e mbrojtura nga UNESCO, por edhe gjithë zonës bregdetare të skajit jugor, pasi lidhen nga një tunel, nga tuneli Skërficës dhe i duhen vetëm 35 minuta nga aeroporti i Gjirokastrës deri në Sarandë pasagjerëve në të ardhmen". /noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd