Transmetuar më 30-04-2024, 13:22

“Scan Intel” ka analizuar shifrat zyrtare nga Banka e Shqipërisë si dhe të dhënat historike për të kuptuar ecurinë e nivelit të depozitave sipas rretheve. Kjo përllogaritje përfshin sasinë e depozitave në sektorin bankar sipas 8 qarqeve kryesore të cilat pasqyrohen në statistikat e institucionit, ndërkohë që 4 qarqe të tjera përmblidhen si “të tjera”.

Depozitat sipas qarqeve i referohen totalit të depozitave, pra, individëve dhe bizneseve, dhe periudha e marrë në shqyrtim është ajo e tremujorit të parë të vitit aktual. Sipas të dhënave zyrtare, totali i depozitave në sektorin bankar ka prekur nivelin e rreth 1.6 trilionë lekëve, në rritje me 5% krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë. Pra bëhet fjalë për plot 7.7 miliardë lekë më shumë në banka.

Sipas shifrave zyrtare konstatojmë se niveli i depozitave në këto 3 muaj ka njohur rritje në të gjitha rrethet. Rritja më e lartë paraqitet në rrethin e Lezhës me plot 17% gjatë tremujorit të parë të vitit. Pas Lezhës ndjek Fieri me 10%, më pas Vlora me 7% dhe Durrësi e Tirana me 5% rritje. Ndërkohë Shkodra, Elbasani dhe Korça janë rrethet me rritjen më të ulët të depozitave gjatë kësaj periudhe kohe. Ndërsa qarqet e kategorisë të “tjera” u rritën me vetëm 4%.

Nëse shohim shifrat e depozitave sipas rrethit dhe monedhës kuptojmë se për të gjitha qytetet përveç Vlorës, vlen e njëjta gjë: rritja e depozitave në lekë është më e lartë se ajo e depozitave në monedhë të huaj. Ndërkohë, në qytetin e Vlorës rritja e depozitave në valutë të huaj ka qenë 2 pikë përqindje më e lartë se ajo në monedhën vendase. Në të kundërt, në Tiranë dhe në qarqet e tjera rritja e depozitave në lekë ka qenë dukshëm më e lartë se rritja e depozitave në euro.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd