Transmetuar më 03-05-2024, 07:50

Luka Modric tashmë është bërë një legjendë e Real Madridit. Mesfushori kroat ka veshur "Camiseta Blanca" për 12 sezone dhe ka fituar mbi 20 tituj. Ai vazhdon të bëjë diferencën pavarësisht moshës, falë vizionit të jashtëzakonshëm të lojës dhe teknikës së patëmetë.

Kroati e dëshmoi këtë edhe të martën, si zëvendësues, duke gjetur "vrimën" e duhur për t’i shërbyer Rodrygos në zonë. Braziliani u rrëzua më pas nga Kim dhe Vinicius e shndërroi penalltinë në golin e barazimit 2-2 të ndeshjes së parë gjysmëfinale kundër Bayernit.

Nga 11 ndeshjet e luajtura prej Real Madridit këtë sezon në Champions League, ai mungoi vetëm në dy prej tyre. Një dëmtim në kofshë e pengoi atë të luante kundër Napolit në fazën e grupeve dhe mbeti në stol në ndeshjen e parë çerekfinale kundër Leipzig.

Modric ka bërë 126 paraqitje në Champions League, duke shënuar 9 gola dhe kontribuar me 17 asistime. Me 38 vjeç e 234 ditë, ai u bë të mërkurën lojtari më i vjetër që luajti një ndeshje në kompeticionin më të lartë të Evropës për Real Madridin, duke kaluar historikun Ferenc Puskás, i cili doli në fushë 38 vjeç e 229 ditë.

Sulmuesi legjendar hungarez bëri 39 paraqitje në Ligën e Kampionëve, duke shënuar 35 gola dhe fituar 3 tituj midis viteve 1959 dhe 1966.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd