Transmetuar më 02-05-2024, 19:19

Emiratet e Bashkuara Arabe janë goditur ditën e sotme nga një mot i pazakontë me shira të dendur, stuhi dhe bubullima dy javë pasi Dubai u godit nga nga një mot i paprecedentë ndër dekada. Kjo ka çuar në anulimin e disa fluturimeve ndërkombëtare.

Gjithashtu ditën e djeshme, Autoriteti Kombëtar i Menaxhimit të Krizave dhe Fatkeqësive të Emergjencave të vendit (NCEMA) ngriti nivelet e gatishmërisë të sistemit kombëtar për t’u përballur me situatën.

Linja ajrore Emirates, me bazë në Dubai, njoftoi anulimin e disa fluturimeve më 2 maj për shkak të motit të keq në të gjithë Emiratet e Bashkuara Arabe pasi lëvizjet në Aeroportin Ndërkombëtar të Dubait (DXB) u reduktuan.

“Klientët që mbërrijnë ose nisen nga aeroporti i Dubait më 2 maj mund të presin disa vonesa pasi fluturimet janë riplanifikuar,” tha Emirates në një deklaratë.

Theksojmë se më 14-15 prill, reshjet ekstreme goditën rajone të Gadishullit Arabik, me Dubain që përjetoi shirat më të dendur të regjistruar që nga viti 1949.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd