Transmetuar më 02-05-2024, 22:54

BERAT- Një punonjës policie në Berat është pezulluar nga detyra, pasi ka kërcënuar dhe shantazhuar një qytetar. Polici u pezullua pas një qytetar deklaroi se i kishte kërkuar para pasi kishte blerë një shtëpi.

Kastriot Hoxha tregoi për Fiksin se para 7 vitesh ka blerë një shtëpi, për të cilën disponon certifikatë pronësie, por sapo e ka blerë, një polic i Komisariatit të Policisë së Urës Vajgurore, i cili njëkohësisht është edhe vëllai i komshies së zotërisë, e kërcënon se do ja shembin shtëpinë.

“Që kur e bleva shtëpinë polici, Miti Mata më kërkoi 3 milion lekë që të më linin rehat, por unë nuk ja dhashë se unë isha me letra të rregullta, tani nuk më lënë rehat, unë nuk pres dot as një ferrë në oborrin tim, se më thonë do të vrasim , do të presim, do të vrasim djalin“- thotë Hoxha.

Qytetari i përlotur tregon se nuk po rri rehat në një banesë që mezi e bleu, madje djali i tij nuk vjen në shtëpi prej më shumë se 6 vitesh vetëm për shkak të këtyre konflikteve.

REAGIMI I POLICISË SË BERATIT:

Në lidhje me rastin e transmetuar në emisionin investigativ “Fiks-Fare”, në Top Channel, ku një qytetar pretendon se është kërcënuar dhe shantazhuar nga një punonjës Policie në Stacionin e Policisë Dimal, ju bëjmë me dije se:

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Berat ka bërë pezullimin e menjëhershëm nga detyra të punonjësit të Policisë Inspektor Dh.M., dhe Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur hetimin disiplinor ndaj tij.

Ndërkohë Agjencia e Mbikëqyrjes Policore po kryen veprime për sqarimin e rrethanave të rastit.

Drejtoria Vendore e Policisë Berat falënderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë rastet e abuzimit me detyrën të punonjësve të Policisë dhe i fton sërish ata, që të denoncojnë çdo rast të tillë, duke i’u garantuar reagim të menjëhershëm e të paanshëm.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd