Transmetuar më 17-05-2024, 10:19

Pozicioni i Massimiliano Allegrit është ende në dyshim. Ditën e djeshme u fol për një divorc të mundshëm mes toskanit dhe Juventusit, me klubin që nuk e kishte vlerësuar sjelljen e trajnerit në finalen e Kupës së Italisë, të fituar 1-0 ndaj Atalantës.

Lajm që do të shkaktonte bujë për mënyrën se si do të merrej vendimi, edhe pse për momentin nuk ka konfirmim në këtë drejtim. Palët janë duke vlerësuar dhe me shumë gjasa mund të ketë zhvillime së shpejti në një drejtim apo në tjetrin.

Në rast shkarkimi, klubi i Juventusit do ta paguajë Max edhe sezonin e ardhshëm, sipas kontratës. Në fakt, kontrata e Allegrit skadon në vitin 2025. Siç raportohet në edicionin e sotëm të “Gazzetta dello Sport”, trajnerit livornez do t’i paguhet ende një pagë prej rreth 7 milionë euro. Kjo do të thotë që Juventusi do të duhet të shpenzojë rreth 18-20 milionë euro bruto në përgjithësi, nëse merr trajner të ri.

Ky është rasti ekstrem që po vlerësojnë në “Continassa”, por ekziston edhe mundësia, e cila mund të jetë konkrete, që trajneri aktual i Juventusit të mos qëndrojë pushim një vit në Itali. Ka interesim të disa klubeve për Allegrin, teksa me interes shfaqet pista e Arabisë Saudite. Milionat që vijnë nga Lindja e Mesme mund ta tundojnë teknikun të pranojë një eksperiencë më pa stres e presion, por me shumë para.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd